Ergin Zaloshnja, Ground Zero, 2019
Mëngjesin e datës 12 nëntor 2019, forca të shumta policore (RENEA, FNSH, Shqiponjat dhe Policia Bashkiake) nisën, në mbështetje të IKM-së, operacionin për prishjen e banesave në zonën e Astirit për t’i hapur rrugë projektit të dokumentuar korruptiv të “Unazës së Madhe”, i cili do të lërë pa shtëpi rreth 600 familje. Banorët e Astirit, të paktë në numër, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar, i rezistuan sa mundën sulmit të mirëorganizuar të forcave policore, dhe dhunës krejt shproporcionale që këto të fundit zbrazën kundër tyre. Përplasja midis banorëve të Astirit dhe Shtetit filloi në orët e para të mëngjesit. Banorët u vetëmbrojtën duke hedhur shishe Molotov, gurë dhe kapsolla kundër makinerisë shtetërore të përbërë nga 2000 forca policie të pajisura me mjete moderne për shpërndarjen e turmave, duke përfshirë makina uji me presion dhe një sasi të konsiderueshme bombash gazi lotsjellës me të cilat sulmuan banorët e Astirit. Përplasja shënoi 13 të plagosur, 8 nga radhët e banorëve dhe 5 punonjës të policisë. Në përfundim, zona e Astirit u rrethua dhe terreni u bë gati për fadromat dhe eskavatorët që prishën 33 banesat e para. Astiri filloi të ngjante me një “Ground Zero”, një zonë tashmë e shkatërruar e bërë gati për ndërtuesit e lidhur ngushtë me qeverinë. Një taktikë e njohur kjo sidomos në vende me korrupsion të lartë ku pastrimi i parave bëhet më së shumti nëpërmjet ndërtimit dhe ku lidhjet e krimit të organizuar me shtetin janë shumë të thella.
Vepra GROUND ZERO paraqet tre imazhe të manipuluara në mënyrë digjitale, ku fotografive të kantjerëve të ndërtimit në kryeqytet u janë mbivendosur tre bomba gazi lotsjellës të mbledhura mbrëmjen e 12 nëntorit në zonën e Astirit. Kantjerët e ndërtimit të fotografuar nga droni janë disa nga themelet e kullave të reja që po ngrihen si kërpudha helmuese në të gjithë qytetin.